Universiteti “Ukshin Hoti” – Prizren
Prof. Asoc. Dr. Vedat Bajrami është Dekan dhe Profesor i Asociuar në Fakultetin e Edukimit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, me mbi tri dekada përvojë në arsim, kërkime shkencore dhe menaxhim universitar. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e fushës së edukimit gjithëpërfshirës dhe edukimit special në Kosovë.
Studimet doktorale dhe të magjistraturës i ka përfunduar në fushën e Edukimit Gjithëpërfshirës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa studimet bazike i ka kryer në Edukimin Special dhe Rehabilitim në Universitetin e Beogradit. Gjithashtu, ka ndjekur zhvillim profesional në nivel eksperti në Arsimin Inkluziv, në kuadër të programit FSDEK, në bashkëpunim me Universitetin e Jyväskylä-s (Finlandë) dhe Universitetin e Prishtinës.
Në aspektin institucional, Prof. Bajrami ka mbajtur pozita të rëndësishme udhëheqëse: aktualisht është Dekan i Fakultetit të Edukimit (2022–sot), ndërsa më herët ka qenë Prodekan (2018–2021). Nga viti 2002 deri në 2016, ka ushtruar detyrën e Zyrtarit të Lartë për Edukim Gjithëpërfshirës në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Prof. Bajrami është autor i mbi 43 punimeve shkencore dhe profesionale, të publikuara në revista dhe konferenca ndërkombëtare. Ka botuar një monografi dhe është bashkautor në dy antologji që trajtojnë çështje të edukimit gjithëpërfshirës dhe edukimit special në Kosovë. Po ashtu, është autor i tri udhëzuesve profesionalë për punën me fëmijë me nevoja të veçanta.
Ka marrë pjesë dhe ka prezantuar në dhjetëra konferenca ndërkombëtare në Evropë dhe rajon, ndërsa është aktiv në projekte kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë bashkëpunime me organizata si: OECD, Save the Children, Council of Europe, HERAS+, Caritas Zviceran, e të tjera.
Fushat e ekspertizës së tij përfshijnë:
- Edukimin gjithëpërfshirës në kontekste multikulturore;
- Politikat arsimore për fëmijët me nevoja të veçanta;
- Zhvillimin profesional të mësimdhënësve;
- Hartimin e kurrikulave për arsimin gjithëpërfshirës.


