

Fantazia në skenë: “Liza në Botën e Çudirave” nga studentët e Programit Parashkollor
Sot, më 12 janar 2026, në Amfiteatrin e Madh të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, studentët e vitit IV të drejtimit Parashkollor, nën udhëheqjen e Prof. Albana Krasniqi, prezantuan para publikut adaptimin skenik të shfaqjes “Liza në Botën e Çudirave”, një realizim i ndërtuar mbi imagjinatë të pasur, ndjeshmëri artistike dhe përkushtim të veçantë pedagogjik.
Shfaqja u realizua në kuadër të lëndës “Dramatizimi dhe Shfaqja me Kukulla” dhe ndërthurte në mënyrë harmonike elemente të teatrit dramatik dhe teatrit me kukulla, duke krijuar një univers skenik të gjallë dhe tërheqës. Loja skenike, ritmi i mirëstrukturuar dhe përdorimi kreativ i mjeteve vizuale e bënë shfaqjen të qartë dhe komunikative për publikun, i cili e përcolli me interes të vazhdueshëm dhe e shpërbleu me duartrokitje të gjata.
Publiku i pranishëm, i përbërë kryesisht nga fëmijë parashkollorë nga institucionet e edukimit të hershëm të qytetit, reagoi në mënyrë aktive dhe spontane gjatë gjithë shfaqjes. Fëmijët komunikonin drejtpërdrejt me skenën, brohorisnin, përfshiheshin emocionalisht dhe shpesh përsëritnin tekstin e aktorëve, duke krijuar një ndërveprim të gjallë që e pasuroi përvojën teatrale dhe e shndërroi shfaqjen në një akt të hapur dialogu mes aktorëve dhe publikut.
Studentët dëshmuan nivel të lartë përkushtimi dhe profesionalizmi, duke u veçuar për kreativitet në skenografi, kostume dhe interpretim aktorial, si dhe për aftësinë për të punuar në grup. Regjia e Prof. Albana Krasniqi vuri theksin në zhvillimin pedagogjik dhe artistik të studentëve, duke reflektuar një proces mësimor të suksesshëm dhe një bashkëpunim të frytshëm mes pedagoges dhe studentëve.
Përmes kësaj shfaqjeje, Universiteti “Ukshin Hoti” forcon lidhjen e tij me komunitetin lokal, duke hapur hapësirat universitare për fëmijët e kopshteve dhe duke i përfshirë ata në aktivitete kulturore dhe edukative. Ky ndërveprim dëshmon rolin e universitetit si aktor aktiv në jetën kulturore dhe edukative të qytetit, si dhe kontributin e tij në edukimin parashkollor përmes artit dhe teatrit si mjete formimi, komunikimi dhe ndërveprimi aktiv.





















