

Profesorët e Fakultetit të Edukimit realizuan mobilitet akademik në Universitetin Trakya në Edirne Turqi
Në kuadër të programit Erasmus+ (Mobiliteti i stafit për mësimdhënie – Staff Mobility for Teaching), profesorët e Fakultetit të Edukimit, Prof. asoc. Shemsi Morina, Prof. asoc. dr. Söner Yıldırım dhe Prof. asoc. Rifat Morina, realizuan një vizitë akademike në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Trakya në Edirne, Turqi, në periudhën 27–30 maj 2026.
Gjatë kësaj vizite, profesorët zhvilluan një sërë aktivitetesh akademike dhe profesionale, duke përfshirë ligjërata të hapura dhe diskutime interaktive me studentët e Fakultetit të Edukimit në Edirne. Në fokus të këtyre ligjëratave ishin përvojat bashkëkohore në mësimdhënie, praktikat inovative pedagogjike, si dhe sfidat dhe mundësitë në sistemet arsimore. Studentët patën mundësi të përfitojnë nga ekspertiza dhe përvoja ndërkombëtare e profesorëve, duke nxitur një shkëmbim të frytshëm idesh dhe perspektivash.
Në kuadër të kësaj vizite, profesorët zhvilluan gjithashtu një ligjëratë të veçantë me studentët e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin Trakya, ku u trajtuan tema që lidhen me gjuhën, kulturën dhe identitetin, si dhe rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të tyre në kontekst ndërkombëtar. Ky aktivitet u prit me interes të madh nga studentët dhe stafi akademik.
Po ashtu, gjatë qëndrimit në Edirne, profesorët zhvilluan një takim zyrtar me zv.dekanin e Fakultetit të Edukimit, Assoc. Prof. Dr. Sertaç Arabacıoğlu, ku u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimeve të ardhshme akademike, si dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në fushën e edukimit.
Përveç angazhimeve në mësimdhënie, vizita shërbeu edhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy fakulteteve, duke hapur mundësi për projekte të përbashkëta në të ardhmen, shkëmbime të mëtejshme akademike dhe zhvillim të përbashkët në fushën e edukimit.
Kjo vizitë përbën një kontribut të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e Fakultetit të Edukimit dhe në avancimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke reflektuar përkushtimin për bashkëpunim dhe zhvillim të vazhdueshëm akademik.









