

U zhvillua takim për forcimin e bashkëpunimit universitar me institucionet franceze
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, u zhvillua një takim zyrtar me përfaqësues të bashkëpunimit universitar francez, me qëllim promovimin dhe forcimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet universitetit dhe universiteteve franceze.
Prorektorja e Universitetit Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan priti në takim z. Frédéric Deshayes, për bashkëpunim universitar, si dhe znj. Julie Busnel, përgjegjëse e Campus France në Institut Français de Prishtina.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, shkëmbimet shkencore, si dhe promovimin e programeve të studimit dhe bursave në Francë. Palët shprehën gatishmëri për intensifikimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren dhe krijimit të mundësive të reja akademike për studentët dhe stafin e tij.









